Home I pakategorizuar Petraq Kolevica | SHASH i jep çmimin “Mjeshtër në Arkitekturë”|ArTurbina | 30.10.2019...

Petraq Kolevica | SHASH i jep çmimin “Mjeshtër në Arkitekturë”|ArTurbina | 30.10.2019 | 18:00

1644
0
SHARE

Të nderuar kolegë,
Në kuadrin e FAMA – “Festivali i Arkitekturës Moderne Shqiptare / Festival of Albanian Modern Architecture”: SHASH, ka nderin t’Ju ftojë të bëheni pjesë në një event, organizuar në dhënien e çmimit “Mjeshtër në Arkitekturë” për Z.Petraq Kolevica, si një ndër arkitektët me kontribute e vlera të mëdha në gjenezën e Arkitekturës Moderne Shqiptare.

Petraq Kolevica, një prej arkitektëve dhe figurave më të vyera të kulturës shqiptare, me veprën e tij ka lënë një pasuri rrezatuese në trashëgiminë e arkitekturës në vendin tonë. Ndër më të shquarit talente, i njohur si “Le Corbusier” shqiptar, arkitekt, inxhinier ndërtimi, njohës i artit visual, përkthyes i njohur i letërsisë botërore, poet dhe autor i disa librave edhe të karakterit biografik, ai është sot një ikonë shqiptare e shekullit të XX.

Takohemi me:

PETRAQ KOLEVICA | SHASH | FAMA

Më datë 30 Tetor 2019, ora 18:00

ArTurbina 

Tiranë

Sponsor Gjeneral:

Petraq Kolevica, lindi në Korçë në 11.01.1934, qytet ku përfundoi shkollën fillore dhe gjimnazin. Gjimnazi i Korçës ishte pasardhës i Liceut Francez dhe disa nga profesorët e mëparshëm vazhdonin të jepnin mësim gjatë kësaj periudhe. Ndër të tjera ishin këta mësues që ngjallën tek Petraqi, interesin dhe dashurinë për artin e poezinë. Në atë kohë ndihen ndikimet në formimin e tij nga piktorët Vangjush Mio e Vangjush Tushi.

Studimet për inxhinieri ndërtimi i kreu në periudhën 1952-1957 në Universitetin Politeknik të Tiranës.

Në me pak se 3-4 vite pas përfundimit të studimeve të larta, u dallua mes arkitektëve shqiptarë. Ende i ri botoi përkthimin e “Demoni” të Lermontovit, çka e solli pranë rretheve letrare dhe artistike të kohës. Bota e librave për të ishte po aq e afërt sa dhe bota e projektimit. Ky ka qenë ndoshta motivi I suksesit të tij në projektimin e ndërtesës së “Bibliotekës” në qytetin e Korçës.

Fillimi i viteve 70-të ishte koha kur Z.Kolevica ishte në kërkim të gjuhës së përkryer në arkitekturë. E karakterizuar si periudha e “Liberalizimit Intelektual” dhe me më pak censurë, ajo mundësoi krijimtarinë e arkitektit drejt parimeve të modernizmit, si rryma dominuese në arkitekturën botërore të atyre viteve. Projekti i Kolevicës – shkruan arkitekti Naum Mara për Objektin Biblioteka e Korçës mund të qëndronte dinjitoz në çdo qytet europian të madhësisë së Korçës të asaj kohe. Për here të parë në arkitekturën shqiptare aplikohej në një objekt social-kulturor, një arkitekturë kaq racionale dhe e proporcionuar në të njëjtën kohë, ndriçimi natyral nga lart, planimetria e lirë dhe një fasadë e gjitha e punuar në basoreliev. Hapësira e “Hollit të Librave” ishte hapësira më moderne, më transparente, e projektuar me një gjuhë arkitekturore të pastër, lakonike, ku mernin pjesë “soletat kesone” të aplikuara për herë të parë, në qytetin e Korcës.

Çka tregon qartazi se Z.Kolevica bëri më të mirën e tij si arkitekt, duke na dhuruar një “botë librash”, botën e tij.

Para e më pas këtij objekti ikonik për modernizmin Shqiptar, vetëm për një periudhë të shkurtër 20 vjeçare ai do të projektojë vepra të shkëlqyera, që edhe pse të kushtëzuara nga një kohë kursimi financiar e censure ideologjike, do të mbartin brenda minimalizmit të tyre, shpirtin romantik e poezinë e këndit të drejtë të shprehur në fasada e linja Bauhauziane. Në listën e gjatë të projekteve spikatin veç të tjerash edhe objekte banimi si, pallati në Bllok e në rrugën e Ambasadave, apo ai prapa Bankës së Shqipërisë në Tiranë, të cilët sëbashku me katër objekte të tjerë në Korçë, prej dekadash janë kthyer në shembuj të bukur të kësaj tipologjie në Shqipëri.

Objekte të projektuara e ndërtuara:
Në Tiranë
1. Godina e Sanatoriumit (1958 – 1959)
2. Banesa pranë ish Kinema “Partizani” (1958 – 1959)
3. Blloku i banesave prapa Bankës Kombëtare (1960 – 1962)
4. Godine banimi në hyrje të ish Bllokut (vitet 60′)
5. Ndërtesa e Institutit të Kërkimeve Veterinare në zonën e “Kinostudios” (vitet 60′)
6. Bashkëautor në ekspozitën “Shqipëria Sot” (1971)
7. Ish Agjensia Ajrore Kineze në Bulevardin “Zogu i Parë” (1973 – 1975)
8. Bllok banese për diplomatët në rrugën “Skënderbej” ndryshe “Rruga e Ambasadave” (1974)
9. Bashkëautor në projektimin e Muzeut Historik Kombëtar (1977 – 1981)
Në Korçë
10. Bllok banesash pranë stadiumit
11. Bllok banesash pranë kinema “Morava” Shkolla 12-Vjeçare (1963)
12. Shtëpia e Oficerëve
13. Ndërtesa e parë 7 Katëshe në Shqipëri në hyrje të Korçës
14. Bibloteka “Thimi Mitko” (1975)
Çmime e dekorime
Urdhër Pune i Klasit II, 7 Maj 1983
Çmimi i Republikës shkalla III, 17 Nëntor 1984
Dekorim “Mjeshër i Madh” nga ish Presidenti z. Alfred Moisiu
Dekorim “Qytetar Nderi” nga z. Gjergji Mero dhe z. Robert Damo
Kurora e Poezisë, viti 2004

Në vitet në vazhdim ndër debateve të vazhdueshme me Enver Hoxhën dhe kastën politike të asaj kohe, puna e tij censurohet dhe më pas dërgohet të punojë si teknik ndërtimi në Valias. Qysh ndër ato vite ai nuk do të ushtrojë në vazhdim profesionin e arkitektit, por nuk do të heqë dorë asnjëherë nga të shkruarit, pasioni i tij i dytë. Si pjesë e trashëgimisë së tij në publicistikë janë një mori artikujsh mbi arkitekturën, urbanistikën e jo vetëm. Jetën e tij si arkitekt dhe inxhnier ndërtimi e ai e ka përmbledhur në librin biografik “Arkitektura dhe Diktatura”, ndërkohë që pasionin e tij mbi letërsinë e përkthimin në një seri librash poetikë.
Si një arkitekt i cili shprehet publikisht për shqetësimin e tij profesional, ai mbetet edhe sot një antikonformist jo thjesht duke përkufizuar rezistencën e tij intelektuale ndaj Diktaturës, por njëkohësisht edhe antikonformizimin po aq të lidhur ngushtë me arkitekturën dhe zhvillimin urban të qyteteve.
Jeta profesionale, talenti, kultura e gjithanshme dhe përgjegjesia e lartë profesionale e Petraq Kolevicës, na fton ne që ta ndjekim dhe ta nderojmë si një pasuri e integritetit kulturor e qytetar.