Home I pakategorizuar Ndahet nga jeta shkrimtari i mirënjohur Moikom Zeqo

Ndahet nga jeta shkrimtari i mirënjohur Moikom Zeqo

370
0
SHARE

Kolegë të nderuar,

Me keqardhje të madhe ju njoftojmë se ditën e sotme ka ndërruar jetë shkrimtari dhe studiuesi i mirënjohur, Moikom Zeqo, në moshën 71-vjeçare, duke humbur kështu betejën me sëmundjen e rëndë, prej së cilës vuante prej vitesh.

SHOQATA E ARKITEKTËVE TË SHQIPËRISË (SHASH), në emër të anëtarëve të saj, shpreh ngushëllime për familjarët dhe të afërmit e të ndjerit, për këtë humbje të madhe.

Biografi

Moikom Zeqo lindi më 3 qershor 1949 në qytetin e Durrësit. Familja e tij është me origjinë nga Libohova, qytet ku ai mori edhe arsimin fillor. Më 1967 nisi të ndiqte Fakultetin Histori Filologji, duke u diplomuar në Universitetin e Tiranës më 1971 në degën gjuhë-letërsi.

Në vitet 1971-1974 punoi si gazetar dhe redaktor letrar i gazetës “Drita”. Më pas, gjatë viteve 1974-1976 punoi si mësues në qytetin e Rrogozhinës, ndërsa në vitet 1979-1987 ishte punonjës shkencor pranë Muzeut Arkeologjik të Durrësit. Në periudhën e viteve 1987-1990, u punësua si specialist në sektorin e artit antik në Akademinë e Shkencave në Tiranë.

Më 31 janar-10 maj 1991 u emërua kryetar i Komitetit të Kulturës dhe po atë vit iu dha portofoli i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Më 1991 dhe 1992 kandidat për deputet, kur dhe u zgjodh dhe shërbeu deri më 1996. Në periudhën e viteve 1997-2005, ka qenë drejtor i Muzeut Kombëtar.

Moikom Zeqo ka marrë titullin Doktor i Shkencave, si dhe Urdhërin e Lartë “Mjeshtër i Madh”.

Vepra e tij është e pasur me 62 libra me poezi, studime arkeologjike dhe për historinë e artit, si dhe të një numër skenaresh për filma kinematografike e televizivë, me karakter arkeologjik dhe kulturor. Ka marrë disa herë çmime të para për librat e tij. Krijime të Moikom Zeqos janë përkthyer në gjuhët anglisht, frëngjisht, greqisht, italisht, serbokroatisht, bullgarisht, rumanisht, polonisht, danisht, gjermanisht si dhe në gjuhën tonë.

Ishte autor i tre ekspozitave vetiake në pikturë. Ka përfaqësuar Shqipërinë në Konferenca Shkencore Ndërkombëtare disa herë dhe është vlerësuar nga personalitete të larta të kulturës shqiptare dhe të huaj.

Moikom Zeqo ishte një nga personalitetet e njohura të kulturës sonë kombëtare. Veprat e tij dallohen për një stil lakonik, të ngjeshur dhe eruditë dhe mbahet si pionier i postmodernizmit në letrat shqipe.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here